Mbrojtësi i Chelseat Marcos Alonso beson që mesfushori spanjoll Saul Nigues do të ketë paraqitje të mira te skuadra londineze.
Kampioni i Evropës e transferoi Saul në formë huazimi këtë sezon nga Atletico Madridi, pak para mbylljes së afatit kalimtar.
Ai mund t’iu bashkohet Chelseat në mënyrë permanente verën e ardhshme nëse arrin që ta impresionojë trajnerin e “Bluve” Thomas Tuchel.
Mbrojtësi Alonso beson që bashkëkombësi i tij spanjoll do të arrijë ta bëjë atë gjë.
“E njoh Saul nga Kombëtarja e Spanjës dhe po ashtu kemi pasur të njëjtin trajner kur kemi qenë së bashku në akademinë e Real Madridit. Ai është një lojtar i madh. Kualitetet e tij do të jenë tejet të mira për Premier Ligën”, tha Alonso.
“Ai është i fortë fizikisht, shumë i mirë në luftën në ajër, dhe ato janë disa nga gjërat që të nevojiten kur kalon te kjo ligë. Ai është i gatshëm që të fillojë dhe shpresoj që të marrim si avantazh kualitetin që e posedon ai, sepse do të jetë e nevojshme për klubin, do të jetë një vit i gjatë me shumë gara të ndryshme”, shtoi mbrojtësi spanjoll.
26-vjeçari Saul do të garojë me mesfushorët e tjerë si N’Golo Kante, Jorginho dhe Mateo Kovaçiq për një vend në formacionin bazë të Thomas Tuchel.