Thomas Muller e ka mbrojtur klubin e vet Bayern Munich, i cili po kritikohet për bastisjen e klubeve rivale, duke e marrë Paris Saint-Germainin si shembull që klubet nuk janë të detyruara të shesin lojtarë, pasi gjiganti francez nuk pranoi assesi ta shesë Kylian Mbappen këtë verë.
Kampioni i Bundesligës gjermane ia mori tre prej njerëzve kryesorë rivalit RB Leipzig këtë verë, trajnerin Julian Nagelsmann, kapitenin Marcel Sabitzer dhe mbrojtësin Dayot Upamecano.
Derisa Bayerni e nisi sezonin pa asnjë humbje, Leipzig e ka fituar vetëm njërën prej tri ndeshjeve të para.
Por Muller thotë se akuzat se Bayerni po ua merr rivalëve lojtarët më të mirë janë qesharake.
I pyetur nga Bild nëse blerjet e fundit nga Leipzig ishin strategji e Bayernit për ta dobësuar rivalin, Muller tha: “Në asnjë mënyrë”.
“Asnjë klub nuk është i detyruar të shesë. Shikojeni PSG-në dhe Mbappen. Si çdo klub tjetër, edhe ne kërkojmë lojtarë cilësorë të cilët i përshtaten buxhetit tonë”, shtoi ai.
PSG-ja i refuzoi rreth 200 milionë euro nga Real Madridi për Mbappen këtë sezon.