Efekti i Van Gaal. Pas pak më shumë se një jave, trajneri ktheu lojën, golat dhe argëtimin te Holanda në versionin “portokalli” kundër Turqisë. Rezultati tenistik 6-1 e kthen Holandën në vendin e parë të Grupit G.
Pas një mbrëmjeje të paharrueshme, kualifikimi është përsëri në dorën e “tulipanëve”.
Protagonisti absolut, Memphis Depay. Me “hat-trick”-un e tij shkroi një faqe historie. Sulmuesi shënoi “hat-trick”-un e tij të parë kundër Turqisë, gjë që i lejon atij të ngjitet në listën e golashënuesve më të mirë të kombëtares holandeze.
Para ndeshjes, sulmuesi i Barcelonës ishte jashtë dhjetë të parëve, por pas 16 minutash u vendos pranë Sneijderit me golin e tij të 31-të. I 32-ti dhe i 33-ti i lejuan atij që të arrijë Johan Cruijff.
Objektivi tashmë mbetet arritja e Ruud van Nistelrooy dhe Faas Wilkes, me nga 35 gola.