Kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët, sot me emocione e presin përballjen Kosovë - Spanjë.
Dje në orët e pasdites, superfuqia botërore Spanja zbarkoi në Republikën e Kosovës përkatësisht në Prishtinë, ku sonte në orën 20.45 do të ndeshet me Dardanët në kuadër të xhiros së gjashtë të garës kualifikuese për Kampionatin Botëror – Katari 2022.
Ish futbollisti i mirënjohur, Mensur Nexhipi, prej lojtarëve më të mirë në gjeneratën e artë të kapitenit Fadil Vokrri (në vitet e 80-ta), shpreson në rezultat sa më të mirë të Kosovës ndaj “Furisë së Kuqe”.
Në këmbë nga e majtas: Sahit Kelmendi, Jusuf Tortoshi, Fadil Vokrri. Ulur nga e majta: Shefqet Sinani, Skënder Shengyli dhe Mensur Nexhipi
“Mendoj se Kosova nuk çka të humb, ka kualitet edhe pse reprezentacioni i Spanjës është ndër ekipet me të mëdha botërore, mirëpo, me një angazhim maksimal mund të arrijnë rezultat të mirë, edhe pse me mungesë mjaft të madhe të Arbër Zenelit, prapëseprapë ka kapacitete për një loje të mirë dhe ofensive.
Edhe po të humbësh nga Spanja nuk është tragjedi, megjithatë shpresoj që djelmoshat të dëshmojnë kualitet, të luajnë dhe të japin më të mirën”, tha Nexhipi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Legjenda e futbollit, 7 vite ka qenë në radhët e Prishtinës (1984-1991), para se të vinte në klubin e kryeqytetit ka luajtur edhe për Trepçën. Aktualisht është kryetrajner i Korabit të Dibrës, anëtar i Ligës së Dytë të Maqedonisë së Veriut, Grupi i Perëndimit.
Më tej tha se ajo kombëtare që fiton luftën në mesfushë, do ta ketë përparësi për të fituar ndeshjen.
“Ajo çka është për mu me rëndësi, ai që fiton luftën në mes të fushës do të ketë përparësi. Dihet se Spanja ka mesfushën ndër më të fortat në botë, e ka trashëguar dhe ende vazhdojnë me pasime në mesfushë.
Mirëpo, shpresoj që edhe lojtarët e kombëtares tonë, janë lojtarë që dijnë të luajnë dhe dijnë të markojnë kundërshtarin. Nuk kemi çka të humbim dhe mund të befasojmë, do të fitojmë një eksperiencë me kombëtare”, përfundon Nexhipi.