Cristiano Ronaldo vendosi të rikthehet te Manchester United pas 12 sezonesh mes Realit të Madridit e Juventusit dhe pasditen e sotme në orën 16:00 ka lënë takim me fansat e “djajve të kuq” në “Old Trafford”, në kuadër të përballjes me Newcastle United.
Ylli portugez, 5 herë fitues i Topit të Artë, arriti të fitojë gjithçka me Manchester United gjatë periudhës 2003-2009, megjithatë 12 vite më vonë rikthehet me të njëjtën dëshirë për të shtuar të tjerë trofe në palmaresin personal dhe atë të klubit.
Entuziazmi te “djajtë e kuq” është rritur ndjeshëm pas afrimit të Jadon Sanchos dhe mbi të gjitha të Raphael Varane e Cristiano Ronaldos, dy lojtarë që kanë fituar gjithçka me fanellën e Realit, përfshi edhe tre Liga Kampionësh radhazi, ndaj tifozët kanë nisur të ëndërrojnë sërish.
Tani “topi” kalon në këmbët e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, që do t’i duhet të menaxhojë mirë yjet që ka në dispozicion dhe t’i udhëheqë ata drejt suksesit të munguar prej vitesh në kampionat, por edhe në Europë.
Sfida Manchester United-Newcastle do të startojë në orën 16:00 dhe do të transmetohet në ekranin e Supersport, që më në fund ka arritur të sigurojë paketën e plotë të Premier Leagues dhe vetëm sot do të sjellë 5 ndeshje mjaft interesante.
Kështu në orën 13:30 në Supersport 2 do të transmetohet live derbi i vogël londinez mes Crystal Palace dhe Tottenham, me “gjelat” që i kanë bërë një nisje perfekte sezonit dhe do të provojnë të ruajnë kryesimin.
Në orën 16:00, krahas Manchester United-Newcastle, në Supersport do të vijnë edhe përballjet Leicester-Manchester City e Arsenal-Norwich, ndërsa në orën 18:30 vëmendja do të zhvendoset në “Stamford Bridge” për ndeshjen Chelsea-Aston Villa.