Dani Alves ka mbetur pa skuadër. Ai nuk do të luajë më për Sao Paulo, pasi klubi nuk ka shlyer borxhet ndaj tij.
Mbrojtësi i njohur brazilian nuk u paraqit as në stërvitje, si shenjë proteste.
Sao Paulo i ka borxh Alvesit 1.8 milionë euro, teksa përfaqësuesit e ish-mbrojtësit të Barcelonës e kanë njoftuar klubin brazilian se ai nuk do të luajë më, derisa të shlyhen obligimet ndaj tij.
Kurse, drejtori sportiv i Sao Paulos, Carlos Belmonte, ka njoftuar se 38-vjeçari përfundimisht nuk do të jetë më pjesë e tyre.
“Klubi është më i rëndësishëm se çdo lojtar. Ne e pranojmë borxhin dhe u përpoqëm të bënim një draft marrëveshje, por përfaqësuesit e tij nuk e pranuan atë.
Ne morëm vendimin dhe informuam trajnerin Hernan Crespo se Daniel Alves nuk do të jetë më në dispozicion për të luajtur për Sao Paulo."” – ka thënë Belmonte në një video të publikuar nga faqja zyrtare e klubit në “Twitter”.