Trajneri i Manchester United Olse Gunnar Solskjaer ka thënë se Cristiano Ronaldo nuk do të jetë gjithmonë duke luajtur pasi ai ka një plan për t’i menaxhuar minutat e portugezit.
Ronaldo debutoi me dy gola në ndeshjen kundër Newcastle United që dha sinjale se do të jetë e vështirë që trajneri ta largojë atë nga formacioni startues.
Por, trajneri nga Norvegjia ka insistuar që do të ketë ndeshje në të cilat Ronaldo nuk do të përfshihet në skuadër për ta mbajtur 36 vjeçarin sa më të freskët.
I pyetur nëse e ka të pamundur që ta lë Ronaldon jashtë përbërjes startuese, Solskjaer u përgjigj duke thënë:
“Ronaldo punon shumë për veten e tij dhe natyrisht se ai do të rikuperohet për ndeshjen e radhës. Natyrisht tani është sfida me Young Boys në Ligën e Kampionëve dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë.”, tha Solskjaer.
Ai më tutje shtoi se për të si trajner nuk është e vështirë për ta lënë Ronaldon jashtë formacionit.
“Jo, nuk është e pamundur që ta lëmë Cristianon jashtë formacionit startues. Ai është 36 vjeçar dhe unë duhet t’i menaxhoj minutat e tij.”, tha në fund Solskjaer.