Kombëtarja shqiptare U-17 për femra ka nisur që prej ditës së mërkurë grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kompleksin “Tropikal” në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Europian 2021/2022. Vajzat kuqezi janë shortuar në grupin B, pjesë e Ligës B, së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin dhe do të tentojnë kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A.
Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, pasi UEFA ka vendosur t’i besojë edhe njëherë tjetër FSHF-së organizimin e këtyre sfidave me nivel europian. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi më 24 shtator në Elbasan Arena, në ora 16:00, ndërsa tre ditë më vonë, Azerbajxhani do të luajë kundër Malit të Zi, po në stadiumin “Elbasan Arena”. Më 30 shtator do të luhet edhe ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit në Elbasan.
Nga grumbullimi i ekipit në Tropikal, Agustin Kola, trajneri i Kombëtares U-17 ka dhënë një prononcim për fshf.org, duke u shprehur se objektivi i skuadrës për këto dy ndeshje është të fitojnë, si dhe synimi kryesor i këtij ekipi është furnizimi i Kombëtares A me lojtare të reja. Në fund tekniku Kola bën një thirrje për të gjithë të rinjtë që të merren me sport.
Futbolli i femrave në Shqipëri – Me të vërtetë e kemi filluar futbollin e femrave me vonesë në Shqipëri, por shikoj që vajzat janë më të dëgjueshme, kapin atë që thotë trajneri dhe shikoj që kanë ecur shumë mirë.
Objektivi kryesor i Kombëtares U-17 – Objektivat tonë janë që të dërgojmë sa më shumë vajza në ekipin A. E pamë edhe herën e fundit që kemi luajtur, që kemi vajza të talentuara, luajtën futboll të mirë dhe këtë objektiv kemi edhe këtë herë, pasi janë vajza të reja. 2-3 kemi nga grupi i fundit. Janë vajza që kanë dëshirë të luajnë futboll.
Synimet e skuadrës në këto dy ndeshje?
Gjithmonë kam pasur si objektiv fitoren. E pamë edhe para dy vitesh, por edhe këtë radhë, si Shqipëria A e djemve që luajnë në sulm, edhe ne atë lojë duhet të japim. Për mua gjithmonë ka qenë sulmi, mbrojtja më e mirë. Më ka dhënë rezultat si lojtar, ashtu edhe trajner.
Mesazh për vajzat që duan të merren me futbollin?
Dëshira ime është që këto vajza të bëhen futbolliste, të luajnë mirë dhe të arrijnë objektivat e veta në jetë. Fëmijët që merren me sport, si femra, si meshkuj, në radhë të parë largohen nga rruga, e më pas është shëndeti. Shoh shumë që futen nëpër palestra, por i bëj thirrje të merren me sport, jo vetëm me futboll, por me të gjithë llojet e sporteve. Atë kohën e lirë që kanë, t’ia dedikojnë sportit sepse i bën shumë mirë. Në radhë të parë bëhen njerëz, pastaj do të bëhen futbollistë.