Pas përfundimit të Kupave të Europës klubet anembanë Kontinentit të Vjetër i kthehen ndeshjeve të tyre në ligat respektive dhe e shtuna në ekranin e Supersport ofron menjëherë sfida vërtet emocionuese. Spikat padyshim dueli Atletico Madrid–Athletic Bilbao në Spanjë ku kampionët në fuqi kanë përpara detyrën e vështirë për të mundur ekipin bask brenda në kryeqytet. “Luanët” vijojnë rrugëtimin e tyre dhe skuadra baske vazhdon të bëjë përpara e pamposhtur, megjithëse për hir të së vërtetës bëhet fjalë për thjesht katër javë kampionat në Primera Division.
Në klasifikimin e përgjithshëm “los colchoneros” janë në kuotë të njëjtë pikësh me dy klubet që kryesojnë ligën spanjolle, pra Realin e Madridit dhe Valencian.
Pra kryendeshja e javës së pestë do të luhet të dielën në mbrëmje në orën 21:00 në Stadiumin Mestalla, sidoqoftë një interes të vecantë ka gjithashtu edhe për takimin Atletico Madrid–Athletic Bilbao, duke pasur parasysh historinë e trazuar ndërmjet këtyre dy klubeve.
Në shtatë përballjet e fundit mes tyre në kampionat është respektuar pothuajse gjithmonë faktori fushë, pothuajse, sepse në fakt në mesin e qershorit të vitit të kaluar skuadra e Diego Simeones ia doli mbanë për të bllokuar në një barazim me gola ekipin bask në San Mames-in e ri. Edicionin e kaluar dy klubet ndanë fitore identike. Athletic triumfoi 2-1 në Vendet Baske ndërsa Atletico fitoi në Stadiumin Ëanda Metropolitano me po të njëjtat shifra, duke përmbysur disavantazhin e fillimit të takimit.
Takimi Atletico Madrid– Athletic Bilbao do të luhet pra në orën 16:15 në Stadiumin Wanda Metropolitano dhe do të drejtohet nga kryesori Manzano.