Do të nisë në muajin tetor kursi i radhës për formimin e fizioterapistëve, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ky kurs, që do të udhëhiqet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF, do të marrë udhë më datë 13 tetor 2021 dhe do të jetë i ndarë disa faza për t’u përmbyllur me provimet finale më muajin korrik 2022.
Lektorët kryesorë do të jenë dy përfaqësuesit e departamentit të mjekësisë sportive, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë.
Në këtë kurs do të pranohen maksimalisht 30 studentë pas seleksionimit prej komisionit.
Ky kurs për mjekësinë sportive nuk është i pari, teksa është pjesë e një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standardeve më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Prej kohësh FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët e rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, institucionet spitalore si dhe federatat e tjera sportive në vend.
Federata dhe Presidenti Duka kanë vendosur tanimë të investojnë fuqishëm në formimin e stafeve teknike, që nga trajnerët e deri te përgatitësit atletikë, mjekët fizioterapistët, video-analistët, për të vijuar me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të sigurt për futbollin në vendin tonë.