Anglia rikthen tifozët në këmbë pas 25 vitesh

Futboll

Anglia rikthen tifozët në këmbë pas 25 vitesh

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 12:03
Anglia rikthen tifozët në këmbë pas 25 vitesh

Në Angli rikthehen tifozët në këmbë në stadium. Klubet e Premier League, mund të ofrojnë zona të autorizuara ku tifozët mund të qëndrojnë në këmbë, duke nisur nga 1 janari 2022. Autoriteti i sigurisë në fushat sportive ka prezantuar zyrtarisht planin përkatës. Përfshirja e këtyre zonave të sigurisë i jep fund, në këtë mënyrë, ndalimit të përgjithshëm për të qëndruar në këmbë në dy divizionet e para të futbollit anlez, rregull që ishte në fuqi prej më shumë se 25 vjetësh.

Klubet duhet të bëjnë kërkesë për të qenë pjesë e këtij programi brenda 6 tetorit dhe, nëse autorizohen, mund të menaxhojnë një zonë për tifozët në këmbë, duke nisur nga viti i ri e deri në fund të sezonit.

Autoriteti i sigurisë në stadiume bëri të ditur se projekti do të vlerësohet në mënyrë të pavarur për secilin klub, me të gjitha zonat e tjera të terrenit që do të jenë të zëna. Zonat për të qëndruar në këmbë në Premier League dhe në Championship kanë qenë të ndaluara që nga legjislacioni i aprovuar pas katastrofës së Hillsborough të vitit 1989, ku humbën jetën 97 tifozë të Liverpoolit.

Rikthimi i zonave të autorizuara për të qëndruar në këmbë vjen pas impenjimit të shprehur nga qeveria që në manifestin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2019, dhe është një zgjedhje që është kërkuar me insistim nga forcat politike në Angli. Ministri i sportit, Nigel Huddleston, deklaroi:

“Kemi qenë të qartë mbi faktin se do të punonim me tifozët dhe klubet për të prezantuar një zonë të sigurt për qëndrimin në këmbë në impiantet e futbollit. Tani është momenti i duhur për të bërë progres. Presim të dëgjojmë klubet që dëshirojnë të bëhen pjesë e programit tonë”.

Klubet duhet të përmbushin një seri kriteresh për të marrë aprovimin. Duhet, për shembull, që të kenë infrastrukturën e nevojshme në zonat në shtëpi dhe në transfertë, duke iu mundësuar tifozëve që të qëndrojnë në këmbë në zonat e autorizuara me ndenjëset që nuk duhet të jenë të bllokuara në pozicionet poshtë apo sipër, duke garantuar që zonat të mos ndikojnë në shikueshmërinë për tifozët e tjerë.

Klubet duhet gjithashtu të hartojnë një kod sjelljeje për tifozët në këmbë dhe të konsultohen me grupet relative për sigurinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat