Në lojë tani janë të huajt. Para disa ditësh në stadiumin “Selman Stërmasi” kanë qenë të pranishëm disa drejtues të bashkisë dhe projektues të huaj për të parë nga afër impiantin e bardhebluve.
Të huajt që me shumë mundësi ishin belgë kanë vlerësuar impiantin e vjetër, i cili është në përdorim nga klubi Tirana dhe pronësi e bashkisë.
Së bashku me grupin kanë qenë edhe drejtues të lartë të Tiranës. Zëra në bashki bëjnë me dije se pas projektit të KF Tiranës dhe vetë institucioni që është pronari i impiantit ka interes që të zhvillojë stadiumin numër dy të Tiranës dhe prandaj janë afruar arkitektët.
Po kështu, projektuesit kanë parë edhe ambientet përreth të stadiumit, si parkingun, fushat e basketbollit dhe fushën e futbollit para “Selman Stërmasit”. Belgët kanë parë me detaje gjendjen aktuale të stadiumit.
Qëllimi ka qenë për të pasur një ide rreth një projekti të ri për “Selman Stërmasin”.