Në moshën 70 vjeç, Freddie Fu, një kirurg, i cili ka operuar shumë atletë në karrierën e tij të gjatë ka ndërruar jetë. Zlatan Ibrahimovic ka reaguar në rrjetin e tij social Instagram pas këtij lajmi të trishtë. “Freddie Fu më dha shansin për të jetuar një karrierë të dytë. Unë jam akoma në krye falë tij. I jam borxhli atij. Faleminderit Fredi. Pusho në paqe”.
I lindur në Hong Kong, Freddie Fu si djalë u transferua në Shtetet e Bashkuara ku kaloi gjithë karrierën e tij.
Me kalimin e viteve ai është bërë kirurgu kryesor ortoped për sportin. Ai kishte fituar famën e tij gjatë viteve duke operuar gjymtyrët e shumë sportistëve,përfshirë Zlatan Ibrahimovic, por edhe mbrojtësin e ri të Romës, Calafiori.
Në prill të vitit 2017 Zlatan Ibrahimovic pësoi një dëmtim shumë të rëndë në gju gjatë ndeshjes çerekfinale të Europa League mes Manchester United dhe Anderlecht. Pas ndeshjes u zbulua se suedezi kishte thyer ligamentet e gjurit.
Shumë parashikuan përfundimin e karrierës së Ibrës, i cili fluturoi në Shtetet e Bashkuara dhe u operua nga Freddie Fu i cili pas operacionit tha: “Zlatan Ibrahimovic do të luajë akoma për shumë vite”. Kështu ishte, Zlatan është gati 40 vjeç dhe është ende në aktiv në futboll.