Hamburgu nuk arrin të bëjë tri fitore radhazi në Bundesligën e dytë gjermane. Skuadra e njohur gjermane, që këtë sezon nuk merr pjesë në elite, u ndal në një barazim 2-2 përballë Nurnbergut në “Volksparkstadion”, ku miqtë kaluan dy herë në epërsi, por futbollistët e Hamburgut mundën të shmangnin humbjen.
Valentini i Nurnbergut zhbllokoi rezultatin me 11-metërsh në minutën e 22-të, por vendësit u kundërpërgjigjën me Glatzel në të 34-tën.
Pjesa e dytë nisi me gol, që u shënua nga Tempelmann, për t’i dhënë edhe një herë avantazhin skuadrës mike, por përsëri shpëtimtari i Hamburgut rezultoi Glatzel, që shënoi golin e barazimit 2-2 i shërbyer nga Kittel.
Hamburgu pas tetë javëve të para të Bundesligës së dytë renditet në vendin e shtatë, me katër pikë më pak se kryesuesit e Regensburgut.
Werder Bremeni pësoi një humbje të rëndë 3-0 në fushën e Dinamos së Dresdenit, ndërsa Hannoveri u mposht 1-2 nga Sandhausen.