Partizani dhe Vllaznia ndanë pikët në kryendeshjen e javës së tretë të Abissnet Superiores në një 90-minutësh shumë të luftuar, ku shkodranët flirtuan me fitoren, ndërsa të kuqtë djersitën shumë për të shmangur humbjen.
Sfida e “Elbasan Arenës” dhuron emocione menjëherë pas vërshëllimës së kryesorit për fillimin e lojës. Në sekondat e fundit të minutës së dytë, Cara i Partizanit kroson në shtyllën e dytë për Juniorin, që godet me kokë, por topi për fatin e mirë të kuqebluve shkon ngjitur me shtyllën, shkruan Supersporti.
E menjëhershme kundërpërgjigjja e Vllaznisë (4’), me Latifin që tregon klasin e tij me lëvizjet e zgjuara dhe krosimin perfekt për Da Silvan, që shtyn topin me lehtësi drejt rrjetës, 0-1.
Duhej të kalonte thuajse çerek ore lojë që Partizani të merrte veten nga goditja psikologjike që mori në minutat e para.
Në të 17′ Kaçe ka mundësi të ndëshkojë Vllazninë nga goditja e lirë, por topi i goditur prej tij përfundon në mur. Në të 29-tën, shkon mbi tra tentativa e Tedi Carës fluturimthi, nga jashtë zonës.
Tjetër shans për Kaçen në minutën e 32-të, nga goditja standarde, por Zogovic fluturon në shtyllën e parë, duke devijuar në fundore. Latifi, pak çaste më vonë, vë në vështirësi Hoxhën nga distanca, prirët me portën, “gardiani” i kuq e devijon topin mbi tra.
Në të 38′ bën mrekullinë Alban Hoxha, që nuhati gabimin e Malës në kthimin e topit, duke ndalur vrullin e Da Silvës. Aksion i gjatë dhe i bukur i Partizanit në të 42-tën, që përfundon me goditjen me kokë të Carës, pas krosimit të Markut. Me fat Zogovic, pasi topin shkon drejt e në duart e tij.
Pjesa e parë mbyllet me goditjen e Latifit, kërkon mrekullinë nga një distancë e konsiderueshme, por topi shkon rreth një metër mbi tra.
Partizani ushtron presion në gjysmëfushën e Vllaznisë edhe me fillimin e pjesës së dytë. Në të 62’ portieri Zogovic, vendosur mirë në shtyllën, që kontrollon lehtë tentativën e Shehit.
Në minutën e 71-të, devijimi i Adilit rezulton vendimtar, pasi nxjerr jashtë lojë Juniorin, i gatshëm për të shënuar në shtyllën e dytë. Partizani ka dëshirë, por jo qartësinë e duhur në veprimet sulmuese, si në rastin e Juniorit në të 76-ën, që as nuk arrin ta godasë topin drejt portës.
E pabesueshme çfarë pret Zogovic në minutën e 86-të. Filipovic, godet me kokë nga fare pranë portës, por për fati e keq të të kuqve topi, pasi devijohet nga portieri stampohet në tra.
Vjen më në fund goli i barazimit. Aksion i gjatë i të kuqve në minutën e 88′, me Rrapajn që godet fluturimthi në hyrje të zonë dhe Zogovic mbetet i palëvizur, teksa sheh topin të ndalet në rrjetë.
Të kuqtë, të nxitur nga entuziazmi i golit të barazimit ngulmuan për të realizuar përmbysjen e madhe, por nuk pati më ndryshim rezultati, me të dyja skuadrat që morën atë që merituan, kuptohet që kuqeblutë kthehen të keqardhur në Shkodër për dy pikë të humbura në fundin e takimit.