Mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, ua ka kushtuar tifozëve topçi fitoren bindëse 3:1 kundër Tottenhamit në derbin e Londrës Veriore të dielën në Premierligë.
Xhaka kishte munguar në dy ndeshjet e kaluara të Arsenalit, për shkak se ishte infektuar me koronavirus gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Zvicrës, por u rikthye në kohë për t’i ndihmuar skuadrës ndaj rivalit të qytetit.
Mesfushori me prejardhje nga Podujeva luajti 82 minuta, para se të zëvendësohej nga Albert Sambi Lokonga.
Smith Rowe, Pierre-Emerick Aubameyang dhe Bukayo Saka shënuan nga një herë në pjesën e parë në Emirates Stadiumin për fitoren e skuadrës së Mikel Artetës.
Son Heung-Min e shënoi atë që ishte goli i ngushëllimit për skuadrën e Nuno Esposito Santo.
Në një reagim pas ndeshjes në rrjetet sociale, Xhaka – i cili ishte buzë kalimit në Romë gjatë verës – shprehu krenari e të qenit lojtar i Arsenalit.
“Kjo fitore shkon për krejt ju. Jam krenar që jam topçi sonte!” shkroi Xhaka.