Komisioni për Ankesa në shkallën e dytë kanë marrë vendim në lidhje me gjobën prej 1500 eurove ndaj Ballkanit për lëshimin në organizim në takimin kundër Llapit.
Ankesa e “portokallezinjve” është refuzuar nga shkalla e dytë, me ç’rast vendimi i Komisionit Disiplinor në shkallën e parë mbetet në fuqi.
“Vendimi. Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 28.09.2021 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, argumenteve dhe provave shtesë të ofruara konstatoj se vendimi i Komisionit Disiplinor –shkalla e parë, është i drejtë dhe mbetet në fuqi”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Ndeshja e vlefshme për javën e pestë në BKT Superligën e Kosovës në futboll mes Ballkanit dhe Llapit u ndërpre disa herë për shkak të mosrespektimit të masave anti-Covid.
Për të njëjtën arsye, pjesa e dytë nuk nisi për 23 minuta vonesë.
Ndeshja gjithashtu u karakterizua me sharje në kor nga tifozët vendas në drejtim të trajnerit të Llapit, Tahir Batatinës, hedhje të shisheve PVC në drejtim të tij dhe bankinës mysafire.