“Cristiano Ronaldo do të luajë me kombëtaren deri në moshën 40-vjeçare? Fillimisht duhet që të jemi të dy këtu…”. Me këtë batutë trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, i është përgjigjur zërave se sulmuesi 36-vjeçar dëshiron të luajë ende për një kohë të gjatë me fanellën e përfaqësueses.
“Nuk kam sferën e kristalit për të parë të ardhmen. Ai është i vetmi që mund të përgjigjet, në bazë të asaj se si është fizikisht. Por ai do të marrë një vendim duke parë si është ditë pas dite”, u përgjigj Santos në konferencën e djeshme për shtyp.
Në fakt, kapiteni i luzitanëve e ka pranuar se nëse do të ndihet mirë, ka për objektiv që të luajë me Portugalinë edhe për katër vite të tjera.
Trajneri diskutoi gjithashtu edhe mundësinë e aktivizimit të portierit të Portos, Diogo Kosta, në ndeshjet e ardhshme kundër Katarit dhe Luksemburgut: “Të shohim, në këto dy ndeshje do të jetë e vështirë.
Kemi dy portierë, të cilët janë në kombëtare për shkak të cilësisë së tyre. Pastaj kemi të tjerë si Rui Silva dhe Diogo Kosta. Le ta marrim me qetësi”.