Roberto Mancini ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka lexuar listën e 23 futbollistëve që do të grumbullojë për fazën finale të Ligës së Kombeve, e cila do të mbahet pikërisht në Itali javën e ardhshme.
Tekniku i kampionëve të Europës deklaroi se ky kompeticion vlerësohet maksimalisht nga “të kaltrit”, pasi është një përballje mes katër më të mirave të kontinentit dhe Italia do të provojë të tregojë se është më e forta momentalisht.
“Është një përballje mes katër më të mirave të kontinentit dhe duam të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë në gjysmëfinale, e pse jo edhe në finale, për të fituar trofeun. Kam përzgjedhur lojtarët që ishin në Europian, përveç Spinnazolës, që është i dëmtuar, pasi janë të gjithë në formë dhe e meritojnë të konfirmojnë vlerat e tyre.
Kemi edhe shumë të rinj, që duam t’i përfshijmë gradualisht në skuadër, për t’i përgatitur për Botërorin e ardhshëm, megjithatë për jemi në fazën finale të Ligës së Kombeve dhe nuk është momenti për eksperimente. E veçanta te Italia është se edhe pas një suksesi si ai në Europian, duhet të luash sërish për fitore, pasi arritjet harrohen shpejt”, u shpreh Mancio.
Nuk ka munguar një koment i trajnerit të “të kaltërve” edhe në lidhje me propozimin e FIFA-s për të organizuar Kupën e Botës çdo dy vite.
“Botërori është një emocion i veçantë edhe për faktin se luhet një herë në katër vite, ndaj nëse organizohet më shpesh, ekziston rreziku që të shndërrohet në një kompeticion normal dhe t’i zbehet interesi”, tha trajneri italian.