Zibì Boniek refuzon hapur idenë për ta luajtur Kupën e Botës çdo dy vite.
“Nga vjen kjo gjë? Nga një spital për të sëmurët mendorë?! Nuk ka brenda saj asnjë logjikë. Nëse e bëjnë këtë, nuk ka vend për garat e tjera, – nënvizon zv.presidenti i UEFA-s. – Nëse ndodh kjo nuk mund të kualifikoheni më; disa ekipe kombëtare duhet të shpërbëhen. Nismë e Wenger? Unë e dua atë, por paska fjetur keq”.
Nuk mungojnë mendimet e Boniek edhe për Superligën Europiane: “Sot është Liga e Kampionëve. Nëse disa klube duan të bëjnë Superligën, kjo vjen ngaqë duan t’i menaxhojnë paratë mes tyre dhe të mos i ndajnë ato.
Sot paratë e grumbulluara nga Liga e Kampionëve janë të barabarta, ose më të mëdha se ato të Superligës, vetëm se ndahen në të gjithë botën e futbollit. Nëse bëni një garë pa merita sportive, unë nuk e shikoj më atë”.
Në fund, disa fjalë edhe për Romën dhe një sugjerim për të: “Mourinho mund të ndjekë një objektiv tjetër, Roma duhet të jetë ndërkombëtare. Jose mund të shtojë diçka, atij nuk i mungon asgjë.
Skuadra është e ekuilibruar. Mua më duket se problemi i Romës është mungesa e një lojtari me përvojë të madhe në mbrojtje që udhëzon lojtarët e rinj. Mourinho mund të aplikojë presingun, por kjo qasje ka nevojë për mbrojtës me përvojë.
Nëse Koulibaly do të ishte atje, Roma do të ishte një ekip krejt tjetër”.