Skënderbeu-Vllaznia ishte një ndeshje mjaft e veçantë për sulmuesin nga Prishtina, Liridon Latifi, që tani vesh fanellën kuqeblu, por luajti për herë të parë si kundërshtar ndaj korçarëve, aty ku ka kaluar edhe periudhën më të bukur të karrierës.
Në intervistën për SuperSport, Latifi nuk i fshehu emocionet për rikthimin në Korçë, teksa pranoi se pavarësisht barazimit, objektivi i kuqebluve mbetet titulli kampion në Abissnet Superiore.
“U ndjeva i emocionuar për këtë rikthim, pasi kam kaluar vërtetë mirë këtu.
Sa i përket ndeshjes, pjesën e parë nuk gjetëm hapësira, pasi Skënderbeu ishte rreshtuar me shumë lojtarë mbrapa, ndërsa në të dytën mund të bënim më mirë, por ndjemë lodhje për shkak inferioritetit numerik.
Nuk jam ende në formën më të mirë, por po ringrihem gradualisht dhe objektivi mbetet gjithmonë titulli kampion me Vllazninë”, deklaroi Latifi.