​Challandes: Domgjoni është lojtar që bën gjithçka në fushë, Muriqi me Kosovën tregon se sa i rrezikshëm është

Futboll

​Challandes: Domgjoni është lojtar që bën gjithçka në fushë, Muriqi me Kosovën tregon se sa i rrezikshëm është

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 12:43
Bernard Challandes

Trajneri i Kosovës Bernard Challandes ka folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes së radhës në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” kundër Suedisë në udhëtim më 9 tetor.

Që në hyrje të konferencës Challandes deklaroi se ndeshjet e muajit shtator u zhvilluan nën mentalitetin e ri që ka filluar të ndërtohet brenda kombëtares së Kosovës dhe se kjo, sipas tij, u dëshmua në sfidat kundër Greqisë, Gjeorgjisë dhe Spanjës.

Madje Challandes e cilësoi ballafaqimin me Spanjën në “Fadil Vokrri” si ndeshjen më të mirë të tij në krye të “Dardanëve”.

Ndërsa, kundërshtarin e së shtunës, Suedinë, Challandes e cilësoi si shumë të vështirë por theksoi se Kosova do të jap maksimumin për t’i vendosur ata në pozitë të vështirë.

Challandes: Ndaj Suedisë do të luajmë lojën tonë duke miksuar komponentët tona

“Tani jemi para një ndeshje tjetër shumë të rëndësishme, ndaj një kundërshtari shumë të vështirë, sidomos kur luan në shtëpi, një kundërshtari si Suedia, një ekip ndaj të cilit kanë pasur vështirësi shumë të mëdha edhe ekipet më të mëdha. E kemi parë edhe në kampionatin e fundit evropian që Suedia ka qenë një kundërshtar shumë i vështirë për të gjithë kundërshtarët me të cilët është ndeshur...Mirëpo për ne do të jetë një sfidë kur prapë duhet të bëjmë miksimin e këtyre komponentëve kryesore mbi të cilat e bazojmë lojën tonë, është një lojë ku ne duhet të tregojmë se sa jemi të aftë për t’u përballur me rivalë të tillë.”, tha Challandes.

Challandes: Dom Gjoni është tip i lojtarit që mund të bëjë gjithçka në fushë

“Toni Domgjoni ka qenë pjesë e ekipit U21 të Zvicrës, një ekip që ka pasur kualitet të madh...Prandaj mund të themi se bëhet fjalë për një futbollist shumë cilësor, një mesfushor modern i ditëve të sotme. Ajo që mund të them për të është se karakteristikë e tij është se njihet si lojtar box-to box, lojtar që bënë pothuajse gjithçka....Jam i sigurt që Toni Domgjoni është një tip i tillë i lojtarit, lojtarë që jep maksimumin në aspektin defanziv, lufton, angazhohet por po ashtu mund të dal përpara me topin, jep pasime të mira, mund ta dërgojë skuadrën tonë deri në 16 metërshin e ekipit kundërshtar.”, theksoi Challand.

Trajneri zviceran po ashtu foli edhe për formën nëpër të cilën po kalon Vedat Muriqi te Lazio, që nuk është më e mira e mundshme, por kjo sipas tij nuk e vë në dyshim kontributin e tij në kombëtare.

Challandes: Kombëtarja e Kosovës është rast i mirë që Muriqi të tregojë se kush është

“Po është e qartë se Vedati nuk është duke kaluar në formën e tij më të mirë futbollistike në ekipin e Lazios por nuk mendoj se kjo do të ndryshoj shumë në ekipin kombëtar sepse kemi pasur edhe më herët situata të tilla, mirëpo kemi parë diçka krejt tjetër te ekipi kombëtar dhe besoj që ekipi kombëtar për të është një lloj rasti i mirë për të treguar se çfarë është në gjendje të bëjë....Ne e kemi parë edhe në të kaluarën se sa i rëndësishme është Vedati për ne dhe mendoj se ai është i gatshëm edhe tani për të dëshmuar diçka të tillë dhe jam i sigurt se ai mezi po pret të tregoj performanc të nivelit të lartë.”, tha Challandes.

Në këtë konferencë po ashtu u bë e ditur se tashmë Astrit Selmani është pajisur me pasaportë kosovare dhe do të jetë i gatshëm për sfidat e radhës së Kosovës duke filluar nga ballafaqimi me Suedinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat