Legjenda e Manchester Unitedit, Roy Keane, është tallur me James Milnerin e Liverpoolit, duke thënë se Phil Fodeni i Manchester Cityt e dërgoi atë në shtëpi me ambulancë në barazimin mes tyre në Anfield të dielën.
Liverpooli e kishte epërsinë e një goli dy herë, falë golave nga Sadio Mane dhe Mohamed Salah, por City u rikthye dy herë për ta barazuar rezultatin në Anfield përmes Phil Foden dhe Kevin De Bruyne.
Për shkak se mbrojtësi kryesor i krahut të djathtë, Trent Alexander-Arnold, mungoi shkaku i lëndimit – Milneri e zuri vendin e tij në mbrojtje kundër City.
35-vjeçari është njëri prej lojtarëve me më përvojë në Premierligë por hasi në shumë vështirësi kundër shkëlqesisë së Fodenit dhe Jack Grealishit.
Ai u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje të ashpër ndaj Fodenit në pjesën e parë dhe befasisht i shpëtoi kartonit të kuq më vonë në pjesën e dytë kur e rrëzoi Bernardo Silvën.
Legjenda e Manchester Unitedit Keane e lartësoi Fodenin dhe tha se Milneri do të ishte i lumtur nëse do ta hiqte qafesh atë.
“Phil Foden ishte i jashtëzakonshëm dhe po e arrin një nivel të ri. Ai po fiton vetëbesim duke punuar me njërin prej trajnerëve më të mirë në botë”, tha Keane.
“Çdo gjë rreth tij sot ishte cilësi; pranimi i topit, marrja e vendimeve dhe goli. Kjo është ajo që kërkohet. Mendoj se Milner do ta hiqte qafesh me shumë kënaqësi. Mendoj se ai shkoi në shtëpi me ambulancë sonte”, shtoi ai.