Kombëtarja shqiptare U-21 ka zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës ndaj Andorrës dhe Sllovenisë.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se futbollisti shqiptar që luan tek ekipi i Tiranës, Marsel Ismajlgeci është larguar nga grumbullimi ditën e sotme pasi ka rezultuar pozitiv me Covid-19, duke mos qenë kështu i gatshëm të luajë për Kombëtaren U-21 në dy ndeshjet e ardhshme zyrtare.
Pas rezultimit të Ismajlgecit pozitiv, në bazë të protokollit sanitar, lojtarët dhe stafi i janë nënshtruar testeve me tampon, por me përjashtim të lojtarit të Tiranës, të gjithë kanë rezultuar negativ.
Shqipëria e 21-vjeçarëve do të luajë ndeshjen e tretë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ndaj Andorras, më 7 tetor ndërsa katër ditë më vonë do të luajë kundër Sllovenisë. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi vijon prej tre ditësh përgatitjet, teksa sot është stërvitur në stadiumin e Egnatias.