Raphael Varane ka thënë që Kombëtarja e Francës do të qëndrojë e bashkuar në momente të mira dhe në ato të këqija, pasi që bashkëkombësi i tij Kylian Mbappe është duke e konsideruar një pushim nga futbolli me kombëtare, pas paraqitjeve jo të mira të Francës në Euro 2020.
Mbappe e humbi penalltinë e fundit në ndeshjen ku Franca u eliminua në raundin e eliminatoreve nga Kombëtarja e Zvicrës në Euro 2020.
Tani, raportohet se Mbappe dëshiron të largohet për ca kohë nga Kombëtarja e Francës, për shkaqe se ylli 22 vjeçar ndjehet sikur nuk e ka përkrahjen e skuadrës.
Rreth kësaj situate foli mbrojtësi i Manchester United Raphael Varane, ku tregoi që pavarësisht komenteve të fundit Kombëtarja e Francës do të qëndrojë e bashkuar.
“Unë mendoj që në grupin që kemi, është shumë e qartë dhe ishte e qartë edhe pas ndeshjes, që ne jemi të bashkuar.
Kur gjërat shkojnë mirë dhe kur kemi edhe zbatica, ne e marrim përgjegjësinë të gjithë së bashku, dhe nuk e lëmë askënd anash”, tha Varane.
“Kështu do të qëndrojmë si grup, dhe ky është mentaliteti jonë që kemi. Filozofia jonë. Ne nuk do ta ndryshojmë këtë gjë”, shtoi mbrojtësi francez.