Reja nuk e zëvendëson Hoxhallarin

Futboll

Reja nuk e zëvendëson Hoxhallarin

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 19:26
Reja nuk e zëvendëson Hoxhallarin

Kombëtarja Shqiptare ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në kompleksin Tropikal në Durrës në kuadër të përgatitjeve për takimin e ditës së shtunë me Hungarinë.

Trajneri Edoardo Reja ka vendosur që të mos ftojë asnjë futbollist tjetër pas largimit të Erjon Hoxhallarit, i prekur nga COVID-19, duke e argumentuar vendimin e tij me faktin se pjesë e grupit janë një numër i mjaftueshëm mbrojtësish.

Ardian Ismajli është i vetmi futbollist i cili ka shfaqur probleme fizike dhe nuk është ende në 100% të formës së tij, megjithatë stafi teknik dhe ai mjekësor do të vlerësojnë gjendjen e 25-vjeçarit në ditët e ardhshme për të vendosur për aktivizimin e tij. Seanca stërvitore e kësaj të mërkure zgjati afër 80 minuta.

Skuadra kuqezi do të zhvillojë të enjten seancën e fundit stërvitore në Durrës, për t’u nisur ditën e premte drejt Hungarisë, ku do t’u japë fund përgatitjeve në “Puskas Arena”, stadium ku do të luhet ndeshja për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Shqipëria ndodhet në Grupin I, ku pas gjashtë ndeshjeve të para ka grumbulluar 12 pikë, duke u renditur në vendin e dytë, pas Anglisë kryesuese. Pas ndeshjes me Hungarinë, Shqipëria do të ndeshet me Poloninë, në “Air Albania”, në datën 12 tetor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat