Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka dhënë një intervistë interesante për “This is Anfield”.
Gjermani ka prekur tema të ndryshme: karriera e tij si trajner, ndeshje të veçanta apo çfarë do të ndryshonte në futbollin aktual.
Nuk mund të mungonin fjalët për lojtarë të veçantë dhe për pasionin që përjeton tek klubi aktual.
Profesioni i trajnerit? - “Një këshillë që do t'i jepja vetes 20 vite më parë? Kur e nis karrierën nuk e di se sa do të zgjasë, si do të shkojë dhe çfarë do të bësh. Prandaj je pak i shqetësuar. Ke ankth. Pastaj kur fillon të punosh e kupton që është ajo që do të bësh dhe do bësh për gjithmonë. Tani do t'i thoja vetes. Rri i qetë, mos u shqetëso. Gjithçka do shkojë mirë”.
Lojtarët? - “Duhet të tregohem i sinqertë, do të më kishte pëlqyer të stërvisja Stevie Gerrard. Kur luajtëm në Sidni para tre apo katër vitesh, pas sezonit, nuk kishim një skuadër të plotë dhe ftuam McManaman, Agger, Jamie Carragher dhe Stevien.
Të jem i sinqertë e njihja Liverpool-in dhe e kisha parë të luante, sigurisht që mosha bënte të vetën, por ishin të gjithë në formë, ndërsa Stevie ishte akoma lojtari që të gjithë njihnim. Ndonëse ishte tërhequr, ishte sërish i jashtëzakonshëm”.
Futbolli aktual dhe çfarë do të ndryshoha? “Vetëm një gjë dhe është fraza kur aplikohet VAR-i, “gabim i qartë dhe i dukshëm”. Këto dy fjalë do ndryshoj “i qartë dhe i dukshëm”. Nuk ka sens. Diskutohet nëse është e drejtë apo e gabuar. Nëse është faul, jepet dhe pikë”.