Largimi i Nahitan Nandez nga ekipi i Cagliarit po konsiderohet si diçka e sigurt nga mediat italiane.
Mesfushori uruguajan i ka kërkuar presidentit të Cagliarit shitjen që në merkaton e janarit. Sipas Corriere dello Sport, interesim për Nandez ka shfaqur së fundmi skuadra e Tottenham. Ata kërkojnë të bindin financiarisht ekipin e Cagliarit në mënyrë që transferimi të kryhet në janar.
Megjithatë, në garë për të nuk është vetëm ekipi anglez pasi uruguajani po ndiqet nga afër edhe nga skuadra e Napolit. Spalleti e shikon Nandez si lojtarin ideal për skemat e tij dhe një ofertë e mundshme nga Napoli mund të arrijë shumë shpejt në dyert e presidentit Giulini.
Nandez ishte një nga lojtarët më të përfolur merkaton verore në Itali ku emrin i tij u lidh me Interin për një kalim të mundshëm si zëvendësues i Hakimit.
Kërkesat e larta të Cagliarit dhe dëshira e zikaltërve për të afruar Dumfries bënë që në fund tratativa të dështonte.
Gjithsesi, rruga e Nandez dhe e Cagliarit nuk duket të jetë më e njëjta me klubin nga Sardenja që kërkon të paktën 35 milion euro për kartonin e tij.