Kombëtarja e Shqipërisë është duke u përgatitur me intensitet të lartë për ndeshjet vendimtare të muajit tetor kundër Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme këto për fazën kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Dy ditë para ndeshjes si mysafire kundër Hungarisë, për mediat ka folur mbrojtësi i krahut të djathtë Elseid Hysaj, i cili tregoi që skuadra është e gatshme për ketë ndeshje, dhe synimi i vetëm është fitorja ndaj Hungarisë, përcjell KosovaPress.
“Skuadra është e gatshme për këtë ndeshje sepse siç e kemi parë edhe në ndeshjet e kaluara që kemi luajtur shumë mirë. Kemi studiuar Hungarinë sepse është një ndeshje e rëndësishme. Po nuk fituam këtë, me Poloninë është pak më ndryshe. Ne duhet të shkojmë tani në Hungari, dhe ta fitojmë ndeshjen atje”, tha Hysaj.
Po ashtu, mbrojtësi i Lazios tregoi që për ndeshjet kundër Hungarisë dhe Polonisë qëllimi i vetëm është të arkëtohen pikët e plota.
“Ne shkojmë për 6 pikë. Me të gjithë këta lojtarë që kemi në grup, shkojmë motivisht shumë lart për t’i fituar të dyja sepse i kemi mundësitë. Duhet të besojmë te vetja jonë.Shpresoj që të japim maksimumin, mos të bëj gabime, që të shkojmë të përqëndruar për të dhënë maksimumin dhe për të dalë më tre pikët”, tha Hysaj.
Të shtunën, me fillim nga ora 20:45 Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë ndeshjen kundër Hungarisë si mysafirë pa praninë e tifozëve nikoqirë, në stadiumin “Ferenc Puskas”.