Kombëtarja e Shqipërisë ka mbajtur sot një konferencë për media para ndeshjes me Hungarinë, e cila është e vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin trajneri i Shqipërisë Edy Reja dhe portieri Etrit Berisha, ku të dy treguan rëndësinë e dy ndeshjeve të tetorit kundër Hungarisë e Polonisë, përcjell KosovaPress.
Reja foli për situatën brenda skuadrës dhe tregoi objektivat e rëndësinë që ka ndeshja kundër Hungarisë.
Reja: Duam të qëndrojmë në vendin e dytë, duhet të fitojmë nesër
“Sigurisht duam të vazhdojmë të mbajmë gjallë këtë ëndërr të madhe për të qëndruar në vendin e dytë deri në fundi. Por unë e kam thënë shpeshherë, jo vetëm para kësaj ndeshje pra, që për ne janë të gjitha ndeshjet si një finale. Nëse humbasim sigurisht ne dalim jashtë objektivave, nuk jemi më në lojë. Është e rëndësishme si ndeshje për neve, dimë shumë mirë forcën e Hungarisë por unë bazohem te fakti qe ne po kalojmë një moment pozitivë. Kemi më shumë siguri si ekip, pra lojtarët kanë shumë besim në vetën dhe jemi këtu për të bërë një ndeshje të madhe. Sigurisht duam të qëndrojmë në vendin e dytë , dhe sigurisht për të qëndruar në vendin e dytë ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, të fitojmë nesër “, tha Reja.
Po ashtu, trajneri Reja e cilësoi ndeshjen ndaj Hungarisë si më të rëndësishme se ajo ndaj Polonisë.
Reja: Pa menduar fare e them se ndeshja me Hungarinë është më e rëndësishme
“Unë e them pa menduar fare që sigurisht ndeshja me Hungarinë është më e rëndësishme. Ne mendojmë vetëm për atë ndërsa për Poloninë do të mendojmë më vonë. Është një ndeshje vendimtare për ne dhe unë uroj shumë që të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të marrim rezultat pozitiv”, tha Reja.
Ndërsa gardiani Berisha tha se ndeshja e nesërme do të jetë tejet e vështirë për të dy skuadrat.
Berisha: Ndeshja do të jetë e vështirë për të dy skuadrat
”Edhe më herët e kam cekur që Hungaria ka lojtarë kualitativ, mirëpo mund të them që arma e tyre kryesore është edhe ekipi. Kështu që nëse nuk kanë ndonjë ndoshta yll që veçohet shumë, mirëpo si ekip kanë bërë gjëra të mira. Kështu që unë mendoj që nesër do të jetë edhe një ndeshje tjetër shumë e vështirë për të dyja palët. Ne kemi rezultatin pra nga ndeshja e parë dhe duhet të fillojmë nga ajo ndeshje ku mendoj që e kemi bërë një ndeshje shumë të mirë sa i përket aspektit defensiv, dhe po ashtu në ofensiv kemi bërë shumë raste, dhe shpresoj që të vazhdojmë me atë ritëm dhe ta fitojmë ndeshjen”, tha Berisha.
Nesër me fillim nga ora 20:45, Shqipëria do ta zhvillojë ndeshjen e parë të muajit tetor kundër Hungarisë, kurse tre ditë më vonë do të jetë vendase kundër Kombëtares së Polonisë.