Challandes në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, ka thënë se Kosova duhet ta konfirmojë formën edhe në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Friends Arena” në Solna.
Ndeshja Suedi – Kosovë luhet të shtunën nga ora 18:00 dhe i takon Grupit B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Stërvitja e fundit ka qenë me intensitet më të ulët dhe kryesisht u ka shërbyer lojtarëve për t’u ambientuar me fushën, teksa përzgjedhësi Challandes ka dhënë edhe këshillat e tij për lojën që duhet aplikuar kundër suedezëve, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Jemi të emocionuar dhe me padurim presim ndeshjen me Suedinë, jemi përgatitur mirë dhe shpresoj të tregojmë paraqitje të mirë. Pas ndeshjeve të shtatorit jemi kthyer me më shumë vetëbesim dhe mendoj që dyja ekipet do të kenë rastin të tregojnë paraqitje të mira. Do të përpiqemi të luajmë lojën tonë si gjithmonë.
Suedia edhe pa Zlatanin mbetet e fortë dhe do të shohim si do të shkojnë gjërat në fushë. Po ashtu, përkundër mungesave, Suedia sërish mbetet ekip shumë i fortë”, ka thënë Aron Muric.