Kastrioti i rikthehet aksionit me bindjen se pushimi ka shërbyer. Për Ramazan Ndreun ka qenë kohë e vlefshme për të punuar në kërkim të një marshi më shumë, edhe pse trajneri, pavarësisht pikëve në klasifikim, i beson lojës së shprehur nga skuadra e tij.
“Ndoshta na shërbeu pauza, kishim nevojë për këtë pushim, për të përmirësuar diçka. Besoj që ndeshjet në përgjithësi i kemi zhvilluar të mira dhe na jep besim për ndeshjen me Skënderbeun.
Përballë Skënderbeut këtë të shtunë, krutanët kërkojnë fitoren e parë, me trajnerin që citon faktorin fushë dhe rikuperimet e disa lojtarëve si avantazh për Kastriotin.
“Na rikthehen edhe disa lojtarë dhe plotësojmë grupin. Besoj se është momenti i duhur për të marrë fitoren, sepse luajmë në fushën tonë.”
Për sa i përket kampionatit, Ndreu premton se do të shohim një Kastriot gjithmonë në rritje, me besimin se skuadra e tij do të bëjë një sezon edhe më të mirë se ai i vitit të kaluar.
“Luajmë në fushën tonë dhe këtë e kemi avantazh. Jam i sigurt që Kastrioti do të ringrihet dhe do të jetë në një nivel më të lartë se i vjetshmi".