Tirana përballë Teutës

Futboll

Tirana përballë Teutës

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 13:25
Tirana përballë Teutës

Tirana përballë Teutës dhe Koronavirusit. Është tema e paevitueshme e kësaj ndeshjeje, me klubin bardheblu të kthyer dy javë më parë në një vatër infektimi. Ismailgeci, Hoxhallari, Seferi, Ngoo, Gjumsi, Ilion Lika si dhe dy anëtarë të stafit teknik kanë qenë të infektuar, një situatë e pazakontë që shtyu klubin më kot të kërkonte shtyrjen e ndeshjes, e cila u refuzua, shkruan Supersport.

Futbollistët tanimë e kanë kaluar sëmundjen, por forma fizike pas një sëmundjeje të tillë nuk mund të vijë menjëherë dhe vështirë se mund të jenë gati për të luajtur menjëherë pas saj 90 minuta, maksimumi mund t’ia dalë vetëm ndonjëri dhe Orges Shehit i duhet të thërrasë në ndihmë elementët e rinj.

Natyrisht, nuk është klima më e mirë për të luajtur një ndeshje të kësaj shkalle vështirësie. Teuta është bashkëkrysuese e klasifikimit, kampione në fuqi, në ndeshjen e fundit bëri një përmbysje të madhe ndaj Kukësit, dhe mbi të gjitha Edi Martini i ka të gjithë gati. Është rikuperuar dhe Lorenco Vila dhe po ashtu dhe Ivanovic, elementë që rrisin cilësinë dhe alternativat në një skuadër me shumë ekuilibër dhe ndaj së cilës është shumë e vështirë të shënosh.

Luhet në “Elbasan Arena”, terren thuajse neutral, dhe bregdetarët shohin mundësinë për t’u shkëputur në krye të klasifikimit, gjithmonë nëse i lejon një Tiranë që pavarësisht problemeve, beson se e ka forcën për t’i tejkaluar me një sukses që do t’i lançonte bardheblutë ashtu si duhet drejt derbit të madh me Partizanin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat