Liverpool mori një fitore pa vuajtje në transfertn ndaj Watfordit, pasi triumfoi me rezultatin e thellë 0-5, falë një tripletë të brazilianit Firmino dhe golave të Salah e Mane.
Ylli egjiptian shënoi një gol të jashtëzakonshëm dhe shkoi në kuotën e 104 realizimeve në Premier League, duke u bërë kështu lojtari afrikan që ka shënuar më shumë, pasi barazoi rekordin e Didier Drogba.
Megjithatë duke qenë se sulmuesi nga Bregu i Fildishtë e ka mbyllur me futbollin e luajtur, egjiptianit të “the reds” do t’i duhet vetëm një gol për ta mbajtur i vetëm këtë rekord, që i kërcënohet nga shoku i tij i skuadrës, Sadio Mane.
Ky i fundit ka prekur shifrën e 100 golave të shënuar në Premier League dhe ajo që e bën më interesante statistikën e sulmuesit nga Senegali, është fakti që asnjë prej golave nuk e ka shënuar me penallti.
Sadio Mane bëhet kështu futbollisti i tretë në historinë e Premier League, që prek shifrën e 100 golave, të shënuar me aksion.