Llapi nga Podujeva ka shënuar fitoren më të ëmbël deri me tash në edicionin vjeshtor në elitën e futbollit të Kosovës.
Një fitore në minutat e fundit me rezultat 2:1 dhe me përmbysje të madhe, sepse deri në minutën e 90+3 Prishtina ishte në epërsi me 1:0.
Përmbysje spektakolare dhe këtë vetëm llapjanët dijnë të bëjnë, që kanë mentalitet pothuajse si gjermanët, nuk dorëzohen deri në fund.
Në minutën e 90+3, Kastriot Selmani me një goditje të fuqishme shënoi supergol në këndin e epërm dhe pas dy minutave (90+5), Valmir Veliu i dha goditjen e fundit Prishtinës.
Selmani është i lumtur për golin dhe fitoren e madhe në stadiumin “Fadil Vokrri “ në Prishtinë, e cila u arrit në minutat shtesë në kuadër të javës së 9-të. Llapi aktualisht renditet në vend të nëntë me 9 pikë të mbledhura.
“Mendoj se jemi duke u rikthyer në formën me rezultate të mira sepse kemi një ekip mjaft cilësor dhe nuk e meritojmë këtë vend në tabelë”, tha Selmani për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Minutat e fundit dhe përmbysja e madhe, a besuat në fitore kur ishit në minutën e 90+2?
“Me thënë të drejtën, në at moment do të ishim pajtuar edhe me një pikë edhe pse kemi shkuar vetëm për rezultat pozitiv, kemi luftuar deri në fund për këto 3 pikë. Mirëpo e merituam fitoren sepse gjatë gjithë pjesës së dytë e dominuam Prishtinën”, përgjigjet futbollisti.
Selmani tha se është goli më i veçantë për të dhe për një arsye: “Ishte goli më i veçantë dhe më i bukur në karrierën time sepse ishte në momentin e duhur për skuadrën që ta ndihmoja për 3 pikë”.
Futbollisti është i bindur se Llapi do të luftojë për 3-4 vendet e para.
“Padyshim që do të luftojmë vetëm për 3-4 pozitat e para, për një vend që na dërgon në Europë”, përfundon Selmani.