Trajneri i Teutës, Edi Martini u shfaq i zhgënjyer pas humbjes ndaj Tiranës, teksa në emisionin “Gol pas Goli” deklaroi se ndeshja u vendos nga gabimet e shumta të lojtarëve të tij dhe u ndal veçanërisht te fakti që kanë pësuar 5 gola në dy ndeshje.
“Komplimentoj Tiranën për ndeshjen, pasi mori një fitore të merituar, por dua të theksoj se ne gabuam shumë, në të tre golat e kundërshtarit.
Është e pafalshme që ne të pësojmë 5 gola në dy ndeshje dhe duhet të ndalemi këtu. Kemi gabuar në të gjithë golat e pësuar sot dhe sidomos në golin e barazimit të Tiranës, nuk duhej të ishim hapur ashtu në qendër të zonës.
Ai gol i dytë i Tiranës na befasoi dhe na çorientoi, duke bërë që të nxitonim për golin e tretë, por bëmë shumë gabime individuale dhe u ndëshkuam sërish, këtë herë nga një goditje standarde.
Nuk e kishim nënvlerësuar Tiranën, por ishim në një ditë të keqe dhe gabuam të gjithë. Kemi bërë gabime elementare sot dhe kjo vendosi ndeshjen”, u shpreh Martini.