Nedim Shaqiri, karatesti i talentuar i KK Rinia nga Mateçi i Komunës së Likovës, është kthyer në vendlindje me titullin kampion nga turneu i tetë ndërkombëtar në “Sofia Open”, organizuar dje në kryeqytetin e Bullgarisë.
Ai ka triumfuar në dy konkurrenca, atë për kadetë -63kg dhe junior -61kg.
Ndërsa, klubi i karatesë Rinia në konkurrencën ekipore për kadet zuri vendin e tretë.
“Jam shumë i kënaqur me suksesin e arritur, sepse Nedimi tregoi nivel të lartë të garuesit.
Edhe si klub jam i kënaqur me këtë rezultat që të arritëm. Me këtë rast dëshiroj të falënderojmë Euro Tours AG me pronar Bashkim Jakupi, i cili mundësoi pjesëmarrjen tonë në këtë eveniment”, deklaroi trajneri Seful Osmani.
Në këtë turne të rëndësishëm kanë marrë pjesë klube të shumta nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe gjetiu.