Mundësia e krijimit të Superligës ende vazhdon të trazojë UEFA-n dhe përfaqësues të skuadrave më me emër në Europë.
Kanë mbetur vetëm disa orë para afatit për dorëzimin e një dokumenti zyrtar në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së me vëzhgimet në favor të UEFA-s në betejën kundër Superligës. Tashmë kanë mbërritur 15, përfshirë ato nga Spanja dhe Franca, por ajo e Italisë mungon për momentin.
Një situatë befasuese që mund të ketë efekte anësore shumë të rënda, duke filluar nga mungesa e mbështetjes së UEFA-s për kandidaturën italiane për Euro 2028. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, bëri një bilanc të situatës pa e fshehur zhgënjimin e tij.
“Nëpërmjet nënsekretares së sportit, Valentina Vezali, unë dorëzova në Qeveri qëndrimin e federatës në lidhje me Superligën duke nxjerrë në pah rreziqet dhe kritikat e saj. Shpresoj që kjo të ndodhë deri më sot në mënyrë që të mos e vendosim vendin tonë jashtë një grupi shumë të madh shtetesh që mbështesin UEFA-n, në atë që ne besojmë se është një betejë parimore në mbrojtje të një sistemi futbolli të hapur dhe meritokratik”.
Superliga u nis si ide nga presidenti i Real Madridit, Fiorentino Perez, në bashkëpunim me klubet më Juven dhe Barcelonën. Konkretizimi I këtij projekti u mohua nga UEFA, por dhe nga tifozët, të cilët ishin kundër krijimit të një kampionati, në të cilin do të merrnin pjesë vetëm klubet më të njohura.