Diego Longo fitoi sfidën e trajnerëve të huaj të Superiores ndaj Thomas Brdariç, me Kukësin që triumfoi 2-0 ndaj Vllaznisë, ndërsa në fund të ndeshjes pranoi se ishte mjaft i kënaqur me atë që tregoi skuadra verilindore në fushën e lojës.
“Vllaznia është një ekip shumë i mirë, që i shënoi 6 gola Dinamos dhe e dinim që janë skuadër pretendente për titullin kampion. E dinim se për të fituar duhej të ishim shumë kompaktë dhe ia dolëm të shënojmë dy gola, por mund të bënim më shumë. Ata luajtën shumë mirë, por edhe ne u treguam racionalë.
Jam i kënaqur që nuk pësuam asnjë gol sot dhe rregulluam balancat.
Kemi punuar shumë dhe po rritemi, por tani duhet të shënojmë më shumë, pasi i kemi mundësitë. Basha është një lojtar fantastik, por unë doja diçka ndryshe.
Për mënyrën se si luajmë nuk varemi shumë nga qendra e mbrojtjes, por unë mendoj se Lulaj është mbrojtësi më i mirë në Superiore, ndërsa Bytyçi është një i ri shumë i talentuar ,që shumë shpejt do të jetë pjesë e U21-shit. Megjithatë kur sulmon gjithmonë, ndonjëherë edhe do kapesh në vështirësi e të pësosh. Duhet të jemi të gjithë kompaktë dhe sot ishim kështu, ndaj fituam”, tha italiani i Kukësit.