Dy gola të anuluar nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje, një karton i kuq për Achraf Hakimin, por rezultati mbeti i pandryshuar, 0:0. Klasikja e futbollit francez, Olimpik i Marseilles – PSG, përtej spektaklit të dhuruar nga tifozët në Velodrome, në një moment madje edhe duke e tepruar me hedhjen e shisheve, që detyruan gjyqtarin ta ndërpriste për disa minuta lojën, nuk pati qershinë mbi tortë në një ndeshje futbolli, golin.
As prania në fushë e Messit nuk ndihmoi skuadrën e Pochettinos ta fitonte takimin, me argjentinasin që mbeti në hije.
E tundi rrjetën fillimit Perez i parizienëve, por në ndërtimin e aksionit sistemi VAR evidentoi pozicion jashtë loje dhe vetëm shtatë minuta më vonë, të njëjtin fat pati edhe finalizimi i Milik.
Fati ishte me vendasit në minutën e 57-të, kur pas ndërhyrjes së sistemit VAR ndërhyrja e gabuar e Hakimit u konsiderua për karton të kuq, si lojtar i fundit.
Megjithatë, në minutat në vazhdim vendësit u kujdesën më shumë për të mos rrezikuar në mbrojtje sesa për të shënuar. Të dyja skuadrat ndanë nga një pikë, duke i lënë ndoshta të gjithë të kënaqur, edhe tifozët në Velodrome.