Superkupa e Italisë nuk e ka ende një datë. Ndeshja mes Interit fitues të Serisë A dhe Juventusit të Kupës së Italisë, u vendos që të zhvillohej më 5 janar në “San Siro”, megjithatë gjithçka është anuluar sërish.
Kjo pasi më 5 dhe 6 janar janë parashikuar ndeshjet e Serisë A Napoli-Juventus dhe Bologna-Inter, ndaj është vendosur që për Superkupën e Italisë të studiohet një tjetër datë, në mënyrë që të mos cënohet kalendari i kampionatit.
Momentalisht hipotezat e mbetura në qarkullim janë dy, data 22 dhjetor, që do të kulmonte edhe me ndeshjen e fundit të vitit kalendarik 2021, ose data 12 janar, që është e mërkurë dhe janë parashikuar ndeshje të Kupës së Italisë.
Nëse vendoset për opsionin e dytë, atëherë Inter dhe Juventus do të shtynin një ndeshje të Kupës, në mënyrë që ta rikuperonin më vonë, megjithatë datat e lira janë shumë të pakta dhe shumë do të varet edhe nga ecuria e klubeve italiane në Europë.
Gjithsesi në pritje që Superkupa e Italisë të ketë një datë zyrtare, e sigurt është që të gjithë do të mund ta ndiqni në ekranin e Supersport, që ka ekskluzivitetin e saj dhe Kupës së Italisë për tre sezonet e ardhshme.