Aventura e Romelu Lukakut tek Çelsi këtë sezon nuk ka qenë sipas parashikimeve.
Gjigandi belg, i cili aktualisht është i dëmtuar, ka hasur vështirësi në ambientimin pas rikthimit në Londër. Por ajo që çudit më shumë është një intervistë e agjentit të tij, Federiko Pastorelo. Italiani ka treguar për një prapaskenë merkatoje lidhur me një transferim të sulmuesit tek Mançester Siti.
“Përpara se të firmosnim me Çelsin, për Lukakun u interesua dhe Mançester Siti. Ishte viti i parë i tij me Interin, por ishte e pamundur që të largohej.
Dëshira e tij ishte që të fitonte kampionatin me zikaltërit dhe donte t’ia arrinte qëllimit. Më pas Siti u fokusua tek Herri Kejn, por dëshira e tyre për të firmosur me Lukakun ishte konkrete”, ka thënë Pastorelo.
Lukaku u transferua këtë verë tek Çelsi për shifrën e 115 milionë eurove. 28 vjeçari deri më tani ka shënuar 4 gola në të gjitha kompeticionet me anglezët.