Ylli francez Kylian Mbappe do të mungojë në ndeshjen e Paris Saint-Germain kundër kampionit aktual Lille për shkak të një infeksioni në vesh.
Po ashtu, ky nuk do të jetë problemi i vetëm për PSG, pasi që edhe ylli Lionel Messi ka pësuar një goditje dhe tani është në dyshim kundër Lille.
Lideri i tanishëm i Ligës 1 të Francës do të përballet nesër mbrëma me kampionin aktual francez Lille, si vendas në stadiumin “Parc des Princes”, ku 13 pikë i ndajnë të dy skuadrat nga njëra-tjetra.
Një deklaratë në faqen zyrtare të PSG shkruante që Mbappe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme, dhe se do të fillojë seancat përgatitore me klubin nga java e ardhshme.
“Kylian Mbappe është duke e vazhduar rikuperimin nga infeksioni i tij, dhe do të fillojë me stërvitje që në fillim të javës së ardhshme”, shkruante në deklaratën e PSG.
Problemet nuk ndalen këtu për PSG, pasi që trajneri Mauricio Pochettino ka treguar që ylli Lionel Messi mund të mos jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme.
“Messi nuk është duke u ndjerë mirë, dhe ka stërvitur i vetëm sot. Nesër do ta mësojmë nëse ai do të jetë i gatshëm të paraqitet kundër Lille”, tha Pochettino.
Këtë sezon, në 14 paraqitje në të gjitha garat për Paris Saint-Germain, Mbappe ka regjistruar gjashtë gola dhe tetë asistime mbi emrin e tij, krahas Lionel Messi që në shtatë paraqitje ka vetëm tre gola.