Në krah të trajnerit Shkëmbi, në konferencën e djeshme për shtyp ishte edhe mesfushori Besir Demiri, i cili sot luan kundër ishskuadrës së tij, Kukësit.
Futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut ishte pjesë e verilindorëve në sezonin e kaluar, një ekip që sipas tij ka ndryshuar shumë që atëherë.
“Tanimë e dimë që Kukësi i sezonit të kaluar me atë të këtij viti ka shumë ndryshime në grupin e lojtarëve dhe në stol, pasi ka një trajner të ri.
Janë 50% e futbollistëve të rinj. Unë kam shumë shokë te Kukësi, kam krijuar një marrëdhënie, mund të them, më shumë se shokë, por në fushën e blertë kjo nuk merret parasysh”, ka thënë fillimisht Demiri. I pyetur nëse ndihet më mirë në mesfushën me 2 apo 3 lojtarë, ai u përgjigj:
“Duke ditur që kemi pasur edhe ndryshime në rreshtimin tonë, për ne futbollistët është e rëndësishme që ta bëjmë sa më mirë detyrën tonë. Vendosjen taktike e bën profesori, ne mundohemi të zbatojmë 100% urdhrat që na jep ai para ndeshjes”.