Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, jep lajmin e hidhur.
Ka ndërruar jetë Nexhat Shoshi, veprimtari i shquar sportiv. Shoshi ka kontribuar shumë për futbollin e Kosovës, sidomos në kohën e pranimit në UEFA e FIFA.
“I trishtuar nga lajmi për vdekjen e mikut tim, veprimtarit të shquar Nexhat Shoshi!
Nexhati, së bashku me familjen e tij, i dhanë shumë futbollit të Kosovës, si në periudhën para pranimit në UEFA e FIFA, ashtu edhe pas pranimit.
Si përfaqësues i FFK-së në Gjermani, ai vazhdimisht ishte në mbështetje të punës sime dhe të FFK-së.
Sa herë takoheshim ishte kënaqësi të bisedoja me të për futbollin dhe për të ardhmen e vendit tonë, pasi ishte një atdhetar dhe vizionar i madh.
Nexhati me vëllezërit dhe miqtë e tij ishin urë lidhëse e FFK-së me Federatën e Futbollit të Gjermanisë, në periudhën kur nuk ishte e lehtë të vendoseshin kontakte zyrtare me federatat tjera.
Vdekja e tij është një humbje shumë e madhe për familjen, por edhe për futbollin e Kosovës, ngase humbi njërin nga veprimtarët e saj më të shquar në Diasporë.
Duke bashkëndjerë dhembjen me familjen Shoshi, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë atyre që e njohën dhe e kishin mik!
Nexhati dhe puna e tij do të mbesin gjithmonë shembull se si duhet punuar dhe dashur atdheu, pa marrë parasysh se ku jeton dhe vepron.
I përjetshëm kujtimi për TY miku im!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.