Muller kërkon falje

Futboll

Muller kërkon falje

Më: 29 tetor 2021 Në ora: 15:17
Muller kërkon falje

Humbja me Gladbahun në Kupën e Gjermanisë ka bërë xhiron e botës pasi nuk ndodh shpeshherë që klubi më i titulluar në Gjermani të mundet 5:0.

Pas ndeshjes ata që folën ishin vetëm trajneri i dytë, Dino Topmëler, dhe drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç. Të dy drejtuesit e Bajernit e kishin të vështirë të tregonin arsyen e humbjes duke mos kërkuar alibi për atë që dha skuadra në fushën e lojës. Ndërkohë që një ditë më pas, ishte mesfushori legjendar i bavarezëve, Tomas Muller, ai që postoi një deklaratë në rrjetet sociale.

“Jam ende pa fjalë për atë çfarë ndodhi në Gladbah. Kjo nuk ishte aspak stili ynë. Na duhet t’u kërkojmë falje tifozëve dhe ndjekësve tanë. Duhet ta përballojmë këtë situatë si profesionistë dhe të mos lejojmë që ndjesitë negative që morëm nga ndeshja e Kupës të na pengojnë për të mos marrë trepikëshin të shtunën.

Tani duhet të mendojmë për kampionatin ku nevojiten nerva të qeta dhe dëshirë të madhe për të fituar. Në fund, urime Gladbahut për fitoren dhe kualifikimin, ishte më se e merituar”, shkroi Myler.

Një mesazh që është pritur mirë nga tifozët të cilët me anë të komenteve në rrjetet sociale duket se e kanë falur skuadrën, edhe pse humbje të tilla janë vështirë për t’u kapërdirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një skuadër si Bajerni që në këtë sezon ka treguar se mund të jetë skuadra favorite për të fituar kampionatin dhe Champions-in.

Gjithsesi, gjasat që një paraqitje e tillë të ndodhë dy herë brenda javës në shtëpinë e bavarezëve janë minimale dhe shumë tifozë besojnë se ndaj Union Berlin, skuadra do të rikthehet te suksesi.", shkruan Muller.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat