Seleksionim me futbollistët e vegjël të vitlindjes 2010

Futboll

Seleksionim me futbollistët e vegjël të vitlindjes 2010

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 12:03
Seleksionim me futbollistët e vegjël të vitlindjes 2010

Specialistët e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë qenë këtë fillimjavë në Lezhë për të vijuar me seleksionimet e futbollistëve të vegjël, të cilët janë evidentuar nga Zyra Rajonale e FSHF-së në Lezhë.

Të pranishëm në këtë seleksionim ishin eksperti i futbollit në Departamentin e Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo dhe trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari.

Përfaqësuesit e FSHF-së vëzhguan në aksion 55 futbollistë të vitlindjes 2011 dhe diskutuan me to dhe me trajnerët e tyre për mënyrën se si duhet të punohet sa më mirë për të pasur sa më shumë elementë të vlefshëm për ekipe kombëtare dhe për futbollin shqiptar në të ardhmen.

Sipas Memës, ka shumë fëmijë të talentuar, por është shumë e rëndësishme që të përmirësohet vazhdimisht cilësia e stërvitjes dhe fëmijët të përgatiten në mënyrë të rregullt gjatë javës.

Gjatë javës së kaluar Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur punën me seleksionimet e futbollistëve të rinj të grup-moshave 2008, 2009, 2010 në të gjitha zonat rajonale të vendit.

Seleksionimet janë përmbyllur në Zyrat Rajonale të FSHF në Fier, Gjirokastër, Tiranë dhe Lezhë nën drejtimin e specialistëve të Drejtorisë Teknike si dhe trajnerëve të ekipeve përfaqësuese rajonale dhe ekipeve kombëtare të moshave.

Deri më tani, seleksionimet janë mbyllur në disa zyra rajonale, ku numri më i lartë i lojtarëve të paraqitur ka qenë në Tiranë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat