Carlo Ancelottin nuk e zemërojnë vërshëllimat e stadiumit “Bernabeu”, por thotë se ato shërbejnë për të zgjuar skuadrën në momente të caktuara.
Trajneri italian flet gjithashtu për lojtarët e pakënaqur dhe për ata që nuk kanë marrë minuta gjatë kësaj kohe.
Vërshëllimat- “I kuptoj vërshëllimat sepse e njoh ambientin. Është një stadium dhe një tifozëri që kërkon shumë. Ne e nisëm mirë në të dyja ndeshjet, pastaj e ulëm rendimentin. Ishim pak agresivë. Kjo mund të ndodhë dhe tifozët na zgjojnë me ndonjë vërshëllimë”.
Të pakënaqurit- “Është normale që të gjithë të duan të luajnë. E kuptoj edhe atë lojtarin që ka bërë nxehmje për 40 minuta dhe nuk ka luajtur. Ua kam thënë atë që mendoj. Nuk doja të bëja zëvendësime. Marcelo ka fituar disa Champions, por kjo është puna ime”.
Liderët- “Është e vërtetë që Courtois, Vinicius dhe Benzema kanë qenë më të rëndësishëm sesa të tjerët, por te Reali secili jep kontributin e tij. Militao gjithashtu ka bërë mirë. Por Reali është një ekip”.
Hazard- “Ishte gati të luante. Mund të luajë të shtunën. Është e vërtetë që ka nevojë për minuta për të gjetur formën e tij më të mirë. Mendova për një moment që ta aktivizoj, por kisha strategji të luaja nga krahët. Eden është më mirë në qendër tani”.