Nedim Bajrami është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Empolit. Fantazisti i kombëtares shqiptare e nisi shumë mirë këtë sezon në Serie A.
Deri tani numëron 2 gola dhe 2 asiste në Serie A, teksa shkëlqimi i ndeshjeve të para është zbehur disi në javët e fundit.
Trajneri i Empolit, Aurelio Andreazzoli u ndal te forma e 22-vjeçarit nga Tetova në konferencën për shtypin përpara ndeshjes shtëpiake ndaj Genoas.
“A mendoj se është ngadalësuar disi procesi i rritjes së Bajramit? Nedimi ka cilësi dhe dëshirë të madhe për të punuar e për t’u përmirësuar, ai është i fokusuar te puna e përditshme.
Jo të gjithë janë njësoj, secili ka kohën dhe nevojat e veta. Vështirësitë e momentit do të kthehen në pika të forta dhe nota pozitive, sepse ne kemi besim të madh te lojtari.
Nedimi do e ketë shansin të shfaqë potencialin e tij, kanë mbetur për t’u luajtur edhe rreth 30 ndeshje.
Nuk e cilësoj problem situatën e tij, rritja e Nedimit është e vazhdueshme, ndoshta jo shumë e shpejtë, por po ndodh”, deklaroi trajneri italian i Empolit, ekip ku aktivizohen edhe Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani.