Para ndeshjes së nesërme në kampionat ndaj Tiranës, së bashku me trajnerin Bledi Shkëmbi ishte edhe kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi. Futbollisti theksoi se lojtarët e afruar nga klubi janë me potencial në Superiore, ndërsa shtoi se mes Tiranës dhe Partizanit, tabela e klasifikimit e tregon vetë se cili është rivali më i fortë në këtë sezon.
“Çdo fitore të kënaq dhe të jep më shumë qetësi për nesër.
Presidenti ka ndërmarrë një projekt të madh dhe duhet marrë hap pas hapi, duke besuar se klubi do të shkojë aty ku duhet.
Lojtarët e afruar janë me potencial në Superiore, por duhet punuar pa u ndalur gjithë kohën ashtu siç kam bërë edhe unë. Duhet të shmangim gabimet individuale dhe që na kap euforia në fushë. Duhet shumë punë për të arritur objektivat personale, por edhe të klubit”.
Tirana apo Partizani? “Tabela e tregon vetë, Tirana ka lojë më të mirë, por nuk duhet anashkaluar Partizani. Janë ekipet më të mira në Superiore dhe rivaliteti ndikon te të treja ekipet. Gjatë këtyre shtatë javëve, Tirana ka treguar më shumë cilësi”.